Ka nisur në Bruksel Konferenca Ndërqeveritare, ku do të diskutohet edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka folur pak para nisjes së konferencës duke thënë se është një moment shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit.
“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”- tha Rama.
I pyetur nga një gazetar lidhur me opsionin e anëtarësimit të Shqipërisë fillimisht pa të drejtën e vetos, kryeministri u shpreh: “Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për t’u bërë. Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian.”
“Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne. Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, shtoi më tej.