Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar pas lajmit se Partia Socialiste ka nderuar me certifikatë mirënjohje për kontributin në parti, ish deputetin Jurgis Çyrbja, të cilin SPAK e ka akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, nxjerrje të sekretit shtetëror dhe korrupsion në zgjedhje.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj thekson se vetëm në Shqipëri dhe vetëm nga kryeministri Edi Rama mund të ndodhë nderimi i një politikani të dënuar për lidhje me bandat kriminale.
Sipas Shehajt, kjo ndodh pasi qeveria socialiste me në krye Edi Ramën duan t’i imponojnë qytetarëve shqiptarë një qeveri të korruptuar, edhe pse u ka dalë boja.
Por Shehaj thekson se ky model nuk ka të ardhme në Shqipëri edhe për faktin se bie ndesh me dëshirën e shqiptarëve për integrimin e vendit në BE.
Kreu i Mundësia i bën thirrje qytetarëve të largohen nga ky model imponimi i qeverisë Rama dhe të përqafojnë alternativën e partisë politike që ai drejton, për një vend ku qytetarët ia dalin me punë dhe me sakrifica.
Deklarata e plotë e Agron Shehajt
Ky që shikoni në ekran është Jurgis Çyrbja. Ish-deputet i Partisë Socialiste, deri para 2 muajsh ishte në burg, i dënuar si një anëtar i një bande kriminale. Sot, ky ish-deputet merr një certifikatë mirënjohjeje nga Edi Rama, i cili e falënderon për kontributin e tij në PS. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë një gjë e tillë. Në çdo parti tjetër politike do ta kishin larguar. Por në Shqipëri, Edi Rama jo vetëm nuk e largon, por i jep edhe një certifikatë.
Tani, pse ndodh një gjë e tillë në Shqipëri?
Ndodh sepse, pavarësisht se u ka dalë boja, pavarësisht se nuk i fshehin dot më lidhjet me krimin dhe korrupsionin, tani duan t’i imponojnë Shqipërisë një qeveri të korruptuar. Duan ta bëjnë hapur. Nuk pyesin më, nuk fshihen më. Arrijnë deri aty sa u japin edhe çmim.
Por ky model nuk ka të ardhme në Shqipëri. Është e paimagjinueshme që një qeveri e korruptuar dhe e lidhur me krimin mund të imponohet në një vend i cili pretendon të hyjë në Bashkimin Europian. Është kundër kohës, është kundër Europës, është kundër të ardhmes së Shqipërisë dhe nuk kanë për t’ia dalë pavarësisht mundimeve.
Ajo që ne duhet të bëjmë ndërkohë është të punojmë për alternativën tonë politike. Duhet t’u tregojmë shqiptarëve dhe t’u ofrojmë shqiptarëve një alternativë për të gjithë ata që duan të jetojnë në një vend ku sundon ligji, ku luftohet korrupsioni dhe ku njerëzit e ndershëm mund t’ia dalin me punë dhe me sakrifica.