Irani akuzon SHBA-në për shkelje të armëpushimit pas sulmeve të reja në jug të vendit

Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit, pasi ushtria amerikane kreu sulme që i cilësoi “mbrojtëse” në jug të Iranit. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se arritja e një marrëveshjeje për ndalimin e konfliktit mund të marrë edhe disa ditë.

Ministria e Jashtme iraniane tha se sulmet amerikane në provincën jugore Hormozgan përbëjnë një shkelje flagrante të armëpushimit të brishtë që ka qenë në fuqi prej afro shtatë javësh.

Të dyja palët kishin sinjalizuar përparim drejt një memorandumi mirëkuptimi që do të mundësonte ndalimin e luftës dhe rihapjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, e cila aktualisht mbetet pjesërisht e bllokuar. Marrëveshja parashikon një afat 60-ditor për negociata mbi çështje më të ndërlikuara, përfshirë programin bërthamor iranian.

Pas sulmeve ndaj objektivave që SHBA pretendon se përfshinin mjete lundruese që po vendosnin mina dhe pozicione raketash, Rubio deklaroi se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur në një mënyrë ose në një tjetër.

Konflikti, i cili nisi më 28 shkurt pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, ka shkaktuar tronditje të mëdha në tregjet globale të energjisë, duke rritur çmimet e naftës, karburanteve dhe ushqimeve. Si kundërpërgjigje, Teherani ka lëshuar dronë dhe raketa drejt shteteve të Gjirit që strehojnë baza amerikane.

Aktualisht, vetëm disa dhjetëra anije po kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, krahasuar me 125-140 anije në ditë para nisjes së konfliktit. Rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon zakonisht nëpër këtë korridor strategjik.

Nafta Brent u rrit me afro 3% të martën, duke arritur në 98.91 dollarë për fuçi pas lajmeve për sulmet amerikane.

Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur. Sipas saj, njësitë e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar një dron amerikan dhe kanë qëlluar ndaj një tjetër droni dhe një avioni luftarak që pretendohet se kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane mbi rajonin e Gjirit.

Lideri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, në një mesazh të publikuar në Telegram me rastin e pelegrinazhit të Haxhit, deklaroi se “ora nuk mund të kthehet pas” dhe se vendet e rajonit “nuk do të shërbejnë më si mburojë për bazat amerikane”.

Ai shtoi se sloganet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit” do të vazhdojnë të mbeten thirrje të botës islame dhe të rinisë.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet me Iranin po shkojnë shumë mirë, por paralajmëroi për sulme të reja nëse negociatat dështojnë.

Trump gjithashtu u bëri thirrje vendeve arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite, t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Në një tjetër zhvillim që tregon tensionet në rajon, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi intensifikim të sulmeve kundër Hezbollahut në Liban. Ushtria izraelite u kërkoi banorëve të qytetit Nabatieh në jug të Libanit të largohen përpara sulmeve të mundshme ajrore.

Ndërkohë, negociatorët iranianë dhe amerikanë po zhvillojnë bisedime indirekte në Doha, ku diskutohet një marrëveshje paraprake që do të çonte në negociata më të gjera për një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.