Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i dënuar nga GJKKO për shkak të lidhjeve me anëtarë të krimit, është dekoruar për kontributin e tij në parti.
Vlerësimi është bërë në 35 vjetortin e themelimit të PS në Shijak, ku u zhvilluan disa aktivitete. Ndërkohë vlerësim për kontributin e tij në parti mori edhe Bardhyl Agasi, babai i Ergys Agasit, biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK, për disa vepra penale.
Sa i takon Çyrbjes, ai la mandatin në 9 tetor të 2024-ës ndërsa u arrestua disa ditë më vonë me urdhër të SPAK.
Hetimet treguan se Ergys Çyrbjan e vendosën bandat e krimit në listën e sigurt të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit për zgjedhjet e vitit 2021.
Në nëntor të 2025-ës, ai u dënua me tre vite burg nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Çyrbja u dënua përfundimisht me 2 vite burg. Ndërkohë ai u lirua në shkurt të 2026-ës, pasi shleu dënimin e tij.
Ky vlerësim për ish-deputetin e lidhur me krimin tregon edhe njëherë se si kryeministri Edi Rama sfidon hapur drejtësinë në vend.
Vetëm pak muaj më parë kreu i qeverisë së bashku me Partinë Socialiste u kthyen në një mburojë për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të Tiranës.
PS votoi kundër kërkesës së SPAK, që kërkonte të merrte autorizim nga Kuvendi për ti hapur rrugë arrestimit të ish-numrit dy të qeverisë, e akuzuar për veprën penale “shkelja e barazisë në tendera”.
Ndërkohë pak ditë më parë, në një intervistë të dhënë për median estoneze Postimees, Rama mbështeti vendimin e socialistëve për mos t’i dhënë SPAK autorizimin për arrestimin e Ballukut, me pretendimin se nuk mund t’i kufizohet liria dikujt mbi bazën e dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion.