Përplasja për Aeroportin e Vlorës, Pacolli akuza Policisë së Shtetit: Po vihet në shërbim të interesave të errëta

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka hedhur akuza se Policia e Shtetit po përdoret për interesa të errëta, lidhur me përplasjet e krijuara në aeroportin e Vlorës.

Në një postim në rrjete sociale, Pacolli shkruan se prej katër ditësh policia po ndalon me kërcënime dhe dhunë verbale hyrjen e inxhinierëve në kantier, ndërsa shton mbi 50 specialistë kinezë të kompanisë Mabco po mbahen të izoluar brenda perimetrit, duke u kufizuar edhe nevojat bazike si ushqimi dhe medikamentet.

Më tej, Pacolli shkruan se kjo situatë kërkon sqarim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të ligjshme për të garantuar lirinë e lëvizjes, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për punë të çdo personi të përfshirë.

Reagimi:

Si po manipulohet Policia e Shtetit, e cila duket se haptazi është vënë në shërbim të së keqes?

Prej katër ditësh me radhë, Policia e Shtetit, përmes dhunës verbale, fyerjeve, kërcënimeve dhe pengesave të pajustifikuara, po ndalon aksesin e mjeshtërve, inxhinierëve dhe profesionistëve shqiptarë e ndërkombëtarë në vendet e tyre të punës.

Mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente. Ata po jetojnë të frikësuar dhe në një gjendje presioni të vazhdueshëm psikologjik.

Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor.

Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre. Kur uniforma shtetërore vihet në shërbim të interesave të errëta, cenohet jo vetëm e drejta e individit, por edhe besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia.

Kjo situatë kërkon sqarim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të ligjshme për të garantuar lirinë e lëvizjes, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për punë të çdo personi të përfshirë.