Dosja “Balluku”, Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim kërkesën e Shehajt dhe Kaprit

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët kërkojnë të drejtën për të aksesuar dosjen e SPAK lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e pandehur për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të Tiranës.

Burime bëjnë me dije se çështja është pranuar për shqyrtim dhe do të trajtohet në bazë dokumentare në seancë plenare nga Gjykata Kushtetuese.

Belinda Balluku është aktualisht e pandehur për çështjen e tenderit të tunelit të Llogarasë, ndërsa vijon të jetë nën hetim edhe për disa lote të Unazës së Madhe në Tiranë, projekte që kapin vlera prej qindra miliona eurosh.

Ndaj saj janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike. Më herët, mazhoranca socialiste në Kuvend rrëzoi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj.

Në kushtet kur hetimet kanë hyrë në një fazë të re dhe më intensive, nuk dihet nëse SPAK do të rikthehet me një kërkesë të re për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.

Pak ditë më parë, Balluku bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar heqjen e pezullimit nga detyra, si masë sigurie e vendosur nga Gjykata e Posaçme në nëntor të vitit të shkuar