Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtore ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Islamaj është dënuar me 2 vite e 1 muaj burg, por dënimi është pezulluar dhe është zëvendësuar me 2 vite shërbim prove, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë tjetër vepër penale.
Gjithashtu, gjykata ka vendosur ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Në të njëjtën çështje, GJKKO dënoi edhe ndërtuesin Rrok Gega me 6 muaj burg, dënim që u pezullua duke u vendosur në shërbim prove për 1 vit.
Sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Islamaj, dyshohet se ka tentuar të favorizojë përmes një procedure tenderimi ndërtimin e një ure që do t’i shërbente interesave të familjarëve të saj.
Hetuesit kanë konstatuar se ajo ka ndërhyrë te ndërtuesi Rr.G, me qëllim ngritjen e urës mbi përroin që kalon pranë banesës së motrës së saj.