Tre studentë shqiptarë janë arrestuar gjatë protestës që u zhvillua këtë të hënë në Shkup, ku mijëra të rinj dhe qytetarë marshuan në mbështetje të zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Deri tani, ende nuk dihen arsyet e arrestimit të tre studentëve shqiptarë.
Studentët marshuan nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë, me thirrje si “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Gjuha shqipe amanet” dhe “Fillkov dorëheqje”.
Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese që nuk duhet të mohohet.
Ata kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen, por do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesës së tyre.
Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë në Shkup, pas asaj të mbajtur më 6 prill, ku u kërkua përdorimi i gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.