Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e ndodhur gjatë natës në Tiranë, ku i plagosur ka mbetur efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku, agjent pranë Komisariatit nr. 4.
Sipas informacioneve paraprake, polici është qëlluar me armë zjarri në këmbë, ndërsa ndodhej pranë banesës së tij i shoqëruar nga një fqinj, i cili rezulton nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Hetimet paraprake dyshojnë se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht fqinji i efektivit, për shkak të konflikteve të mundshme që lidhen me prishje pazare droge me persona të tjerë.
Mbetet ende e paqartë përse efektivi i policisë shoqëronte personin që ndodhej në arrest shtëpie dhe që në momentin e ngjarjes kishte thyer vendimin e gjykatës.
Mësohet se efektivi i plagosur nuk kishte njoftuar strukturat policore për shkeljen e masës së sigurisë nga ana e komshiut të tij.
“Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton policia.