Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbajtur fjalën e tij në aktivitetin e çeljes së “Javës së Europës”, ku foli edhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ndryshe nga ajo çfarë thotë qeveria për anëtarësim brenda vitit 2030, Gonzato ia bëri të qartë kryeministrit Rama se nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësimin, por duhen përmbushur të gjitha standardet e Bashkimit europian.
“Shqipëria, si një shtet që aspiron të bëhet anëtar, është pjesë e rëndësishme e BE-së. Paqja nuk është falas, ajo duhet të mbrohet çdo ditë. Forca e BE-së qëndron në aftësinë e saj për të tërhequr dhe frymëzuar vende të tjera. Zgjerimi është një mjet i fuqishëm i Evropës për të promovuar demokracinë; duke mbështetur Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate, Evropa po investon në një të ardhme më të sigurt dhe më të bashkuar. Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit. Një pjesë e rëndësishme e punës sime këtu është që vendi të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e standardeve të BE-së. Sfida është gjithashtu të garantohet cilësia, zbatimi dhe qëndrueshmëria. Kjo vjen si rezultat i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. BE në Shqipëri po kremton Ditën e Evropës përmes përpjekjeve dhe arritjeve. Jam krenar që përfaqësoj BE-në dhe gjithçka që përfaqëson BE-ja”, tha ndër të tjera Gonzato.
Mediat kanë raportuar se vendet anëtare të BE-së janë skeptike për Shqipërinë, pas mbrojtjes që mazhoranca i bëri Belinda Ballukut, duke mos lejuar SPAK-un të arrestojë ish-ministren e akuzuar për abuzim me qindra milionë euro.
Këto lajme janë mohuar nga qeveria, por edhe raporti i Parlamentit Europian theksoi rëndësinë e lejimit të drejtësisë të veprojë mbi politikanët e korruptuar.