Në gjyq për të mbështetur Veliajn, aktori Ndrenika: Djalë i rritur me halle, e përballoj burgun për të

Aktori i njohur shqiptar, Robert Ndrenika ka qenë sot në mbështetje të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në gjyqin e këtij te fundit me prokurorin e SPAK, Ols Dado.

Pasi Gjykata Administrative vendosi shtyrjen e seancës, jashtë dyerve të gjykatës, aktori u ndal në një komunikim për mediat.

Ai e cilësoi Veliaj si një fëmijë të rritur me halle ndërsa shtoi se nuk i ka kuptuar akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj kreut të Bashkisë Tiranë.

Madje shkoi më tej duke thënë se po të ishte nevoja do bënte burgun në vend të Veliajt.

“Djalë jetim, i rritur me halle probleme, që në fillore ka qenë filozof fëmijë. Ka ndihmuar shumë teatrin dhe artisët. Mirë mu duk. Jo them që jo. Po të jetë nevoja e bëj. E përballoj (burgun). Unë si kam kuptuar (akuzat)”, tha Ndrenika.

Kujtojmë se në mbështetje të Veliajt shkuan edhe Gazmend Paja, Ardit Çuni e Arjola Demiraj.

Erion Veliaj kërkon në Gjykatën Administrative shpalljen të pavlefshëm dekretin e presidentit që ka emëruar prokurorin Ols Dado.