Trump: Armëpushimi me Iranin ende në fuqi, pavarësisht përplasjeve në Gjirin Persik

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet në fuqi, edhe pse tensionet ushtarake janë rindezur në Gjirin Persik.

Forcat amerikane dhe ato iraniane u përplasën në ngushticën e Hormuzit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u goditën sërish nga sulme, duke rrezikuar armëpushimin njëmujor dhe duke zbehur shpresat për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Përshkallëzimi i fundit vjen në një kohë kur Uashingtoni pret përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit amerikan për përfundimin e luftës, e cila nisi më 28 shkurt pas sulmeve ajrore të përbashkëta amerikano-izraelite në territorin iranian.

Trump tha të enjten se tre “shkatërrues” të Marinës amerikane u sulmuan gjatë kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e rreth 20% të naftës dhe gazit të lëngshëm në botë, të cilën Irani e ka bllokuar pothuajse plotësisht që nga nisja e konfliktit.

“Tre destrojerë amerikanë të klasit botëror kaluan me sukses Ngushticën e Hormuzit nën zjarr. Nuk pati dëme për anijet amerikane, por pati dëme të mëdha për sulmuesit iranianë”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.

Më vonë, ai minimizoi incidentin duke deklaruar para gazetarëve në Uashington se armëpushimi vazhdon të respektohet.

“Na provokuan sot. Ne i goditëm fort”, tha ai.

Nga ana tjetër, komanda e lartë ushtarake iraniane akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se forcat amerikane goditën një cisternë nafte iraniane dhe zona civile në ishullin Qeshm dhe rajonet bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas ushtrisë iraniane, Teherani u kundërpërgjigj duke sulmuar anije ushtarake amerikane në lindje të ngushticës dhe në jug të portit Chabahar.

Një zëdhënës i komandës qendrore iraniane “Khatam al-Anbiya” deklaroi se sulmet iraniane shkaktuan “dëme të konsiderueshme”, ndërsa Komanda Qendrore Amerikane mohoi që asetet amerikane të jenë goditur.

Media shtetërore iraniane Press TV raportoi më vonë se situata në ishujt dhe qytetet bregdetare iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit “është rikthyer në normalitet” pas disa orësh shkëmbim zjarri.

Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 7 prill, të dyja palët kanë pasur incidente sporadike, ndërsa Irani ka goditur objektiva në vende të Gjirit Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhen edhe baza ushtarake amerikane.

Përplasjet e fundit ndikuan menjëherë edhe në tregjet globale. Çmimi i naftës Brent u rrit mbi 100 dollarë për fuçi në tregjet aziatike të premten, ndërsa bursat pësuan rënie pas optimizmit të ditëve të fundit për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit.

Ndërkohë, Trump konfirmoi se negociatat me Iranin vazhdojnë.

“Po negociojmë me iranianët”, tha ai, duke shtuar se Teherani ka pranuar kërkesën amerikane që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.

“Nuk ka asnjë shans për armë bërthamore. Ata e dinë këtë dhe kanë rënë dakord. Tani mbetet të shihet nëse do ta nënshkruajnë marrëveshjen”, u shpreh presidenti amerikan.

Ai paralajmëroi se marrëveshja mund të arrihet “çdo ditë”, por nuk përjashtoi mundësinë që negociatat të dështojnë.

Konflikti ka sjellë pasoja edhe në ekonominë amerikane. Çmimet e karburanteve në SHBA janë rritur me mbi 40% që nga fundi i shkurtit, për shkak të pengesave në transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.