Helmohen 40 studentë të Akademisë së Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologu i kompanisë së kateringut

Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë përfunduar në spital pas dyshimeve për helmim ushqimor, menjëherë pas konsumimit të drekës në ambientet e institucionit.

Sipas burimeve paraprake, studentët kanë shfaqur simptoma të rënda si të vjella, dhimbje të forta barku dhe komplikacione të tjera shëndetësore. Ata janë transportuar drejt spitalit, ku kanë marrë ndihmën mjekësore, trajtim me serume dhe më pas janë larguar në gjendje të stabilizuar.

Dyshohet se helmimi është shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në drekë. Akademia e Sigurisë kishte kontratë me kompaninë private “Sori-Al”, e cila ofronte shërbimin e kateringut për tre vaktet ditore të studentëve.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar dy persona dhe shpallur një tjetër në kërkim. Në pranga kanë rënë teknologu dhe kuzhinieri i kompanisë së kateringut, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë, Alma Tafani.