Shtyhet me dy muaj vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Është shtyrë me të paktën dy muaj vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëizmit.

Mësohet se vendimi pritet të jepet në muajin korrik “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte parashikuar të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.

Prokurorët, ndërkohë, kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë prej vitit 2020.

Kujtojmë se Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.