Në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nder të Servet Pëllumbit, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 89 vjeçare.
Në orën 12:30 do të mbahet ceremonia e përcjelljes së tij drejt banesës së fundit, teksa në orën 13:00 kortezhi do të niset për në varrezat e Sharrës.
I lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë, Pëllumbi ishte pjesë e brezit të parë të studiuesve të shkencave sociale në vend, duke u formuar si sociolog dhe pedagog. Para angazhimit të tij në politikë, ai zhvilloi një karrierë të gjatë akademike, duke kontribuar në mësimdhënie dhe në studimet mbi shoqërinë shqiptare.
Emri i tij lidhet ngushtë edhe me zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste në vitet ’90 dhe fillim të viteve 2000, veçanërisht me raportin e tij me Fatos Nano. Në kujtimet dhe publikimet e tij, Pëllumbi ka përshkruar debate dhe përplasje politike me Nanon, të lidhura me drejtimin e partisë dhe menaxhimin e krizave të kohës.
Në disa prej rrëfimeve të tij, ai ka treguar për tensione të forta në mbledhjet e Kryesisë së PS-së, sidomos gjatë periudhave të vështira politike dhe në kohën kur Nano përballej me procese penale. Marrëdhënia mes tyre kaloi në faza të ndryshme, nga përplasje të forta deri në vlerësime më të moderuara në vitet e mëvonshme.
Përveç politikës, Pëllumbi mbetet një figurë e rëndësishme në fushën akademike, si profesor dhe studiues i sociologjisë, me ndikim në formimin e mendimit shoqëror në Shqipëri.
Në homazhet për nder të tij, kanë folur disa nga politikanët të cilët e kanë njohur nga afër.
Ish-ministri Arben Malaj u shpreh se Servet Pëllumbi ka qenë një nga ata që e kanë frymëzuar në jetë.
“Më ka promovuar dhe inspiruar në jetë me gjithë dashamirësinë e tij. Profesor Serveti lë një trashëgimi të pasur, e para nga pikëpamja njerëzore që ishte një lider politik me integritet të plotë, e dyta për thellësinë e mendimit për të majtën progresiste. Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë. Gjithnjë e më tepër na duhen modele që inspirojnë të rinjtë, zbusin krizat edhe për kompromise! I paharruar kujtimi i profesor Servetit”, tha Malaj.
Për Fatmir Mediun, Pëllumbi ishte një njeri i mençur që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë.
Një njeri i drejtë dhe i mençur që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë. Kishte parime të vetat, ndryshe nga ato që kishim ne. Nuk mbaj mend ndonjë kryetar që të përcillte vetëm atë që ishte më e mira për vendin. Meriton respektin jo vetëm të deputetëve por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Mediu.
Ndërsa ish-Presidenti Bamir Topi, e cilësoi Servet Pëllumbin si një njeri reformator dhe një nga burrat më të mirë me të cilët ka bashkëpunuar në politikë.
Dëshiroj të shpreh ngushëllimet për familjen. Jam njohur gjatë aktivitetit tim politik nga afër me profesor Pëllumbin. Vjen si një bindje e brendshme dhe konstante, ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator. Ka shumë për të folur, por unë do ta mbyll me këto fjalë, është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politik”, tha ai.