Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, pas një sulmi me armë zjarri ndaj Aydın Çavuşoğlu, vëllait të ish-ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
Ngjarja ndodhi të martën në një stacion karburanti në pronësi të tij, ku sipas dëshmive të punonjësve janë dëgjuar të shtëna brenda zyrës së biznesit.
Autoritetet mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe e transportuan të plagosurin në spital. Ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë.
Policia turke ka nisur një operacion të gjerë hetimor, duke rrethuar zonën dhe sekuestruar prova nga ambientet e stacionit të karburantit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për sulm të qëllimshëm apo incident aksidental.
Mediat në Turqi bëjnë e dije se ish-ministri ndodhej jashtë vendit në momentin e sulmit dhe është informuar menjëherë, ndërsa pritet kthimi i tij i shpejtë në Turqi.