Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit, Edi Rama në lidhje me raportin e tyre për lirinë e medias, ku Shqipëria renditet në vendin e 83-të, duke rënë me tre pikë në krahasim me një vit më parë.
“Kryeministër Edi Rama, ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë”- thuhet në reagimin e Reporterëve ka Kufij.
Në reagim nënvizohet se renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët të medias dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Po cili ishte reagimi i Ramës?
“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht. Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave! Urime MIA-s (Media and Information Agency) dhe përgëzime të gjithë skuadrës së saj, për këtë vlerësim të stërmerituar. E vërteta vonon, po nuk harron”- shkroi Rama në rrjetin X.