Donald Trump ka bërë një tjetër sulm verbal ndaj Papa Leo XIV, duke e akuzuar Papën se “po rrezikon shumë katolikë”, sepse sipas tij “mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”.
Deklaratat vijnë dy ditë para se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të takohet me Papën në Vatikan, në një përpjekje për të ulur tensionet e krijuara pas sulmit të mëparshëm të Trump ndaj Papës me origjinë nga Çikago, për shkak të kritikave të tij ndaj luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Duke folur për Hugh Hewitt, një drejtues i njohur konservator i emisioneve radiofonike në rrjetin Salem News në SHBA, Trump tha se Papa “preferon të thotë se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore, dhe unë nuk mendoj se kjo është diçka e mirë”.
“Mendoj se ai po rrezikon shumë katolikë dhe shumë njerëz,” shtoi presidenti amerikan. “Por mesa duket, nëse varet nga Papa, ai mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore.”
Papa Leo nuk ka deklaruar kurrë se Irani duhet të ketë armë bërthamore, por ka kundërshtuar vazhdimisht luftën ndaj vendit dhe përshkallëzimin e konfliktit në Liban dhe Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për armëpushim dhe dialog.
Brian Burch, ambasadori amerikan në Selinë e Shenjtë, deklaroi të martën se pritet një takim “i hapur” mes Rubio-s, i cili është katolik, dhe Papës në Pallatin Apostolik të enjten në mëngjes.
“Shtetet mund të kenë mosmarrëveshje, dhe një nga mënyrat për t’i zgjidhur ato është përmes vëllazërisë dhe dialogut të sinqertë,” tha Burch për gazetarët, duke shtuar se Rubio po shkon në Vatikan “në atë frymë, për një bisedë të hapur mbi politikat e SHBA-së dhe për dialog”.
Ai shtoi se nuk beson se ekziston “një ndarje e thellë” mes SHBA-së dhe Vatikanit, duke theksuar se qëllimi është mirëkuptimi i ndërsjellë dhe diskutimi i çdo dallimi.
Vizita vjen në përvjetorin e parë të papatit të Leo XIV dhe është organizuar pasi Trump e kritikoi ashpër Papën në prill, duke e quajtur të dobët dhe duke thënë se nuk po e kryente mirë detyrën e tij. Trump gjithashtu shpërndau një imazh të gjeneruar me AI ku paraqitej si Krishti, të cilin më pas e fshiu dhe tha se në fakt ishte një imazh i tij si mjek.
Rubio pritet gjithashtu të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, si dhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe ministrin e Jashtëm Antonio Tajani.
Nënpresidenti amerikan JD Vance, i konvertuar në katolicizëm, gjithashtu ka kritikuar Papën, duke thënë se Vatikani duhet të “merret me çështje morale” dhe të jetë i kujdesshëm në deklaratat për teologjinë dhe luftën.
Rubio dhe Vance morën pjesë në inaugurimin e Papës vitin e kaluar dhe patën një audiencë private me të një ditë më pas, ku i dorëzuan një ftesë nga Trump për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, ftesë që Papa ende nuk e ka pranuar.