Jamarbër Malltezi ka reaguar ashpër pas seancës në Gjykatën e Posaçme, duke e cilësuar dëshminë e Taulant Ballës si mashtrim.
Në një prononcim për mediat, Malltezi deklaroi se Balla ka dhënë dëshmi të pavërteta përpara trupës gjykuese, duke theksuar se pretendimet e tij nuk mbështeteshin në prova konkrete, por në burime mediatike apo të dëgjuara.
“Balla gënjeu në Gjykatë. Tha se kam marrë 5% nga pronarët pa asnjë dokument, vetëm nga burime mediatike. Po ashtu gënjeu kur pretendoi se kam marrë 60% të aksioneve, duke thënë se e kishte me të dëgjuar,” u shpreh Malltezi.
Ai shtoi se gjatë seancës, Balla nuk iu përgjigj disa pyetjeve të rëndësishme, përfshirë deklaratat e mëparshme që, sipas Malltezit, implikonin qëllime politike ndaj Berishës.
Malltezi e cilësoi procesin si të stisur dhe me prapavijë politike, duke akuzuar Ballën për manipulim të institucioneve dhe shkelje të ligjit, përfshirë edhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale.
Sipas tij, ai do të përsërisë kallëzimin penal ndaj Ballës dhe kryeministrit Edi Rama, duke i akuzuar për “denoncim të rremë” dhe “mashtrim”.
“Do të jemi në seancën tjetër dhe do të paraqesim prapësimet tona. Këto që them nuk janë pretendime, por fakte. Balla gënjeu gjatë gjithë seancës dhe shkeli ligjin,” deklaroi ai.