SPAK vijon hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Mësohet se këtë të enjte është paraqitur në SPAK biznesmeni Arbër Abazi administrator i “Alko Impex”, në kuadër të hetimeve ndaj ish-numrit dy të qeverisë.
Emri i tij ka dalë në hetimin e procedurave për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, ku fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Alko-Impex General Construction&2T’ sh.p.k.
Arbër Abazi njihet për lidhje familjare me Ballukun teksa është edhe nipi i ish-deputetit të PS, Sadri Abazi.
Kujtojmë se SPAK ka thelluar hetimet ndaj Belinda Ballukut, ku janë miratuar 15 kontrolle në ambiente të ndryshme, përfshirë banesa të personave të afërt të ish-zv.kryeministres.
Gjatë kontrolleve të fundit, që pasojnë ato të zhvilluara në dhjetor 2025 dhe janar 2026, janë sekuestruar celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat sipas prokurorëve pritet të ndihmojnë në avancimin e hetimeve. SPAK mësohet se ka kërkuar gjithashtu informacion edhe jashtë vendit përmes letërporosive, duke zgjeruar kështu shtrirjen e verifikimeve.