Spiropali e ‘sfidon’ publikisht, Belinda Balluku i ‘thur lavde’ Ramës

Teksa ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali e sfidoi publikisht kryeministrin Edi Rama duke reaguar sërish në rrjete sociale këtë të mërkurë pavarësisht kërkesës së tij në mbledhjen e grupit të PS një ditë më parë, një tjetër ish-ministre ka thurrur lavde për kreun e qeverisë.

Belinda Balluku, ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës shkruan se është krenare për klimën e jashtëzakonshme që kryeministri Edi Rama ka krijuar, duke e bërë vendin një pikë referimi në rajon për partnerët strategjikë.

Postimi i Ballukut vjen pasi qeveria firmosi dy marrëveshje në fushën e energjisë, por njëkohësisht edhe pas përplasjeve në grupin e Partisë Socialiste, ku Rama e paralajmëroi Spiropalin për përjashtim nga grupi.

Po ashtu e kritikoi për postimet e saj në rrjetet sociale, por Spiropali nuk u ndal, duke bërë një tjetër reagim sot ku mes të tjerash shkruante se nuk e ka problem që ta përjashtojnë, pasi ka folur vetëm në interes të vendit.

Teksa Spiropali duket se nuk do ta ndalë “luftën” e saj, Balluku qëndron në krah të Ramës, teksa ky e fundit e mbrojti pasi SPAK kërkoi arrestimin e saj, kërkesë që mazhoranca e rrëzoi me forcën e kartonit.

Postimi i Ballukut:

Jam e lumtur dhe krenare për çfarë Shqipëria arriti sot, jam krenare për klimën e jashtëzakonshme që Kryeministri @ediramaal ka krijuar, duke e bërë vendin një pikë referimi në rajon për partnerët strategjikë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin një sinjal të qartë besimi ndaj Shqipërisë përmes rritjes së investimeve në sektorin energjetik dhe përfshirjes në projekte strategjike që ndikojnë jo vetëm vendin tonë, por gjithë rajonin. Ky besim reflekton stabilitetin institucional, reformat e thella dhe potencialin real të rritjes ekonomike që Shqipëria po demonstron.

Në këtë frymë, projekte ambicioze si Parku Eolik i Tropojës me kapacitet mbi 600 MË, i lançuar pak muaj më parë, dëshmojnë qartë vizionin për ta kthyer Shqipërinë në një hub energjetik rajonal të bazuar në burime të qëndrueshme. Ndërkohë sot, firmosja e dy marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e energjisë forcon më tej këtë drejtim dhe konsolidon rolin e vendit si një nyje strategjike në Ballkan. 6 miliardë dollarë investime e pozicionojnë Shqipërinë si një pikë kyçe për hyrjen dhe përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në rajon, duke rritur ndjeshëm rëndësinë gjeopolitike të vendit dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike për Europën.

Sot është rasti për të falenderuar Ambasadoren @kimberlyguilfoyle për angazhimin e saj në realizimin e këtij bashkëpunimi historik, një dëshmi konkrete e forcës së partneritetit strategjik dhe e vizionit të përbashkët për zhvillim dhe siguri energjetike në rajon.

Angazhimi amerikan nuk është vetëm financiar, por sjell standarde të reja, teknologji të avancuara dhe rritje të transparencës, duke forcuar klimën e biznesit dhe duke tërhequr investime të tjera ndërkombëtare. Kjo dinamikë pozitive dëshmon se Shqipëria po shndërrohet në një partner të besueshëm strategjik dhe një faktor stabiliteti në rajon.

Në një kohë kur siguria energjetike është prioritet global, ky partneritet i ngushtë me SHBA-të e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm për të luajtur një rol kyç në të ardhmen energjetike të Ballkanit dhe më gjerë.