Shehaj e Kapri interpelancë me Ramën për ‘Paketën e Maleve’: S’mund të vendosë Rama kush është ose jo pronar

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri kanë dorëzuar në Parlament një kërkesë për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për t’i kërkuar llogari këtij të fundit lidhur me projektin e quajtur “Paketa e Maleve”, për të cilin një numër në rritje qytetarësh kanë ngritur shqetësim për rrëmbim të pronave të tyre.

Shqetësimi është ngritur edhe më shumë pas një deklarate të fundit nga Rama i cili tha se nëse një investitor do të ndërtojë në një zonë, e merr lejen dhe më pas pronari i asaj toke duhet të shkojë në gjyq dhe nëse fiton, nuk e merr më pronën, por një kompensim qesharak.

“Dorëzuam në Parlament kërkesën për interpelancë për Paketën e Maleve. Dikush, me lidhje politike, i vë syrin një prone, e merr atë me ndihmën e shtetit, dhe kur pronari kërkon të drejtën e tij, shteti i thotë: shko përplasu gjyqeve!

Rama do vendosë se kush do jetë e kush jo pronar dhe jo Kushtetuta dhe ligji. Kjo do ndezë konklikte të reja mes shqiptarësh për pronën”, shprehet Kapri.

Në reagimin e tij deputeti Kapri thotë se ‘Paketa e Maleve’ do të shërbejë për të njëjtin qëllim që u krijua edhe ligji për investimet strategjike, ku prona të tëra publike janë zaptuar dhe zhvatur në zonat më të mira të Shqipërisë, nga Rrjolli në Ksamil.

“Po përdor të njëjtin model të zhvatjes së plazheve më të mira me “investitorët strategjikë”, nga Rrjolli në Ksamil.
Shteti duhet të garantojë të drejtën e pronës dhe jo ta cënojë atë duke krijuar konflikte të reja.
Prona eshte e shenjte! Nuk falet”, thekson Kapri.