Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka folur sot në lidhje me përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali, të cilat kanë arritur deri në “kërcënime” me përjashtime nga grupi.
Në një intervistë për mediat, Braçe i ka dhënë të drejtë Spiropalit pasi sipas tij ka ngritur disa shqetësime që edhe qëndrojnë, qoftë për të, qoftë edhe për kryeministrin Rama.
Ndërkohë edhe Braçe kishte kritikat e tij, duke thënë se brenda Partisë Socialiste ka persona që kanë marrë pozicione që nuk i meritojnë. Megjithatë ai nuk preferoi që të jepte emra se për kë bëhej fjalë.
Sidorela Gjoni: Dje ka pasur diskutime brenda PS-së. Përplasja në distancë apo edhe ballë për ballë e asaj ajo që ndodh në PS. Keni ju një mendim për zërat e ndryshëm në PS-së, një koment që u diskutua dje ishte ai që mund të ketë bërë Rama drejtuar Elisa Spiropalit: “PS-ja dhe unë jemi investuar tek ti, ti nuk do të flasësh më”.
Erion Braçe: PS ja ka investuar tek ne jo ne tek PS-ja.
Sidorela Gjoni: Te Spiropali në këtë rast
Erion Braçe: Unë flas për veten, nuk preferoj të flas për emra. Unë mendova që gjëja nuk po i thuhej vetëm zonjës Spiropali, por edhe mua ose të tjerëve në sallë. Unë vazhdoj të jem deficitar në PS. Në PS ka shumë njerëz që nuk e kanë pasur mundësinë që unë kam pasur. Janë socialistë të thjeshtë, në etapa të ndryshme, por edhe ata kanë pritur nga PS dhe nuk kanë marrë atë që meritonin.
Sidorela Gjoni: Ka të tjerë që kanë marrë më shumë se çfarë kanë merituar?
Erion Braçe: Patjetër që ka plot.
Sidorela Gjoni: A është Spiropali rast i tillë?
Erion Braçe: Nuk jam unë të bëj gjykatësin e kontributeve në PS. Mendoj që është partia që përmes proceseve demokratike t’i japi atë që meritojnë.
Sidorela Gjoni: A ka përplasje brenda PS mes Spiropalit dhe Ramës?
Erion Braçe: Për çfarë? Nuk preferoj të flas për gjërat e shtëpisë. E ka parim timin që gjërat e shtëpisë mbeten në shtëpi, nuk dalin jashtë. Zonja Spiropali ka ngritur disa shqetësime që edhe qëndrojnë, edhe për mua qëndrojnë edhe për të tjerë aty, edhe për kryeministrin qëndrojnë. Në momentin që themi që duhet të rienergjizojmë PS, që duhet ta hapim PS, duhet ta bëjmë më demokratike, praktikisht kemi pranuar një seri problemesh që duhen kuruar.