Banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan dolën në protestë paraditen e kësaj të marte, duke ngritur shqetësimin për mungesën e energjisë elektrike që prej dy javësh, një situatë që ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në furnizimin me ujë.
Rreth 300 banorë po përballen me kushte të vështira jetese, ndërsa shprehen se mungesa e energjisë ka paralizuar aktivitetin e përditshëm në familjet e tyre. Ata theksojnë se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme pranë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nuk është dhënë një zgjidhje e menjëhershme, ndërsa janë njoftuar se ndërprerjet do të vijojnë të paktën deri më 4 maj.
Sipas banorëve, situata është bërë e papërballueshme. Mungesa e energjisë ka vështirësuar gatimin, ruajtjen e higjienës dhe kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit. Ndërkohë, ndërprerja e energjisë ka sjellë automatikisht edhe kufizim të furnizimit me ujë, duke e rënduar më tej gjendjen.
Goditje të fortë ka marrë edhe biznesi i vogël në zonë. Pronarët e dyqaneve ushqimore raportojnë humbje të konsiderueshme për shkak të mosfunksionimit të frigoriferëve dhe prishjes së produkteve. Ata paralajmërojnë se nëse situata vijon, rrezikojnë falimentimin.
Nga ana tjetër, OSHEE sqaron se ndërprerjet lidhen me punimet për stakimin e fidrit nr. 7 në nënstacionin “Kombinati i Drurit”, pjesë e projektit strategjik për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Bitola–Elbasan–Fier. Sipas institucionit, po merren masa për furnizim alternativ përmes kabinave të tjera, ndërsa ndërprerjet do të jenë të përkohshme dhe të kufizuara gjatë proceseve teknike.
Megjithatë, sipas njoftimit zyrtar, situata pritet të zgjasë edhe rreth gjashtë ditë të tjera, ndërsa kontraktorit i është kërkuar përshpejtimi i punimeve.