Sllovenia i është bashkuar Irlandës dhe Spanjës duke mos e transmetuar Eurovizionin, për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Transmetuesi publik i Sllovenisë, RTV Sllovenia, ka konfirmuar se nuk do ta transmetojë edicionin e këtij viti, pasi vendi më herët ishte tërhequr nga pjesëmarrja për të njëjtën arsye.
Në vend që të transmetojë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore live në botë, televizioni do të shfaqë një seri filmash për Palestinën.
“Ne nuk do ta transmetojmë Konkursin e Këngës në Eurovision,” tha drejtoresha e RTV Sllovenisë, Ksenija Horvat, për Associated Press. “Në vend të tij do të transmetojmë serinë filmike ‘Voices of Palestine’, e cila përfshin dokumentarë dhe filma artistikë palestinezë.”
Sllovenia bashkohet me Irlandën, Spanjën, Holandën dhe Islandën në refuzimin e pjesëmarrjes në edicionin e 70-të të këtij konkursi, për shkak të vendimit të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU) për të lejuar Izraelin të marrë pjesë, pavarësisht kritikave për sjelljen e tij në luftën në Gaza.
Spanja, përmes RTVE, rikonfirmoi javën e kaluar vendimin për të mos transmetuar Eurovizionin — për herë të parë që nga viti 1961. Ndërsa transmetuesi publik i Irlandës, RTÉ, njoftoi që në dhjetor se as nuk do ta transmetojë dhe as nuk do të marrë pjesë në këtë event.
Sa i përket Holandës dhe Islandës, Eurovizioni do të transmetohet në kanalet e tyre kombëtare përkatëse, NPO dhe RÚV.
Këtë vit, në edicionin e 70-të të Eurovizionit do të marrin pjesë 35 vende dhe eventi është planifikuar të mbahet në Vjenë nga 12 deri më 16 maj. Pavarësisht sloganit “Të bashkuar nga muzika”, ky edicion po konsiderohet një nga më të debatueshmit deri tani. Organizatorët janë akuzuar për hipokrizi, pasi Izraelit i është lejuar pjesëmarrja, ndërsa Rusia është përjashtuar nga Eurovizioni që nga viti 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës.
Njoftimi i Sllovenisë vjen disa ditë pasi mijëra artistë, përfshirë Massive Attack, Kneecap, Mogwai, Brian Eno, Sigur Rós dhe Nadine Shah, nënshkruan një letër të hapur duke bërë thirrje për bojkot të eventit.
“Si muzikantë dhe punonjës të kulturës, shumë prej nesh që jetojmë brenda hapësirës së EBU-së, refuzojmë që Eurovizioni të përdoret për të zbardhur dhe normalizuar gjenocidin, rrethimin dhe pushtimin ushtarak brutal të Izraelit ndaj palestinezëve,” thuhet në letrën e organizuar nga No Music for Genocide dhe lëvizja BDS.