Arrestohet në flagrancë 48-vjeçari në Tufinë, kapet me 3 armë zjarri që synonte t’i shiste

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 48-vjeçar në zonën e Tufinës, i dyshuar për përfshirje në trafikun e armëve të zjarrit.

Në pranga ka rënë Ligor Mehmeti, i cili u kap me 3 armë zjarri në automjetin e tij, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake, të cilat u sekuestruan si prova materiale.

Nga hetimet paraprake rezulton se 48-vjeçari synonte t’i shiste armët në zonën e Freskut dhe Tufinës. Dy pistoletat dyshohet se do të shiteshin për rreth 1500 euro secila, ndërsa arma taktike për rreth 8000 euro.

“Finalizohet operacioni i koduar “Barriera”. Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri.

Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake).

Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”. Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M.,  48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij.

Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij”, njofton policia.