Zjarri në pallatin pranë QSUT-së, Prokuroria merr në pyetje 5 fëmijët që u kapën nga kamerat e sigurisë

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë të mitur, të cilët janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet të ketë qenë vatra fillestare e zjarrit që përfshiu një pallat pranë QSUT-së në Tiranë.

Të miturit, banorë të kompleksit ku ndodhi ngjarja, janë pyetur në prani të prindërve dhe psikologëve. Sipas dëshmive të tyre, veprimet nuk kanë qenë të qëllimshme. Ata kanë deklaruar se pranë një kondicioneri ndodhej një karrocë me mbeturina dhe një objekt i djegshëm, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktonin.

Prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore në vendngjarje, si dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, ekspertiza shkencore për përcaktimin e shkaqeve të plota të zjarrit ende nuk ka përfunduar.

Nga ana tjetër, në bazë të referimit të Policisë, janë proceduar penalisht katër shtetas: Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

Për katër të dyshuarit, Gjykata Penale ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe përcaktimin e përgjegjësive për zjarrin që shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë.