Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste, gjatë një mbledhjeje të kabinetit të mbajtur sot.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim përforcon pozicionin e Kosovës në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.
“Përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.
Ai e përshkroi IRGC-në si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizim rajonal dhe global.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një nga institucionet më të fuqishme në Iran, i krijuar pas revolucionit të vitit 1979 për të mbrojtur sistemin politik të vendit. Përveç rolit ushtarak, IRGC ka ndikim të gjerë edhe në ekonomi, duke kontrolluar sektorë strategjikë kyç.
Vendimi i Kosovës vjen në një kohë kur disa shtete dhe organizata ndërkombëtare tashmë e kanë futur IRGC-në në listën e organizatave terroriste, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së fundmi, edhe Bashkimi Evropian ndërmori hapa të ngjashëm pas shtypjes së protestave antiqeveritare në Iran.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra protestues janë vrarë gjatë këtyre protestave, ndërsa forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, akuzohen për përdorim të dhunës së tepruar ndaj civilëve.
Irani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare.
Futja e IRGC-së në listën e organizatave terroriste nga Kosova pritet të sjellë masa konkrete, përfshirë ngrirjen e aseteve të mundshme dhe kufizime në udhëtim për zyrtarët e lidhur me këtë organizatë.