Erion Braçe në garë për Tiranën… apo një lëvizje që synon Ministrinë e Bujqësisë?

Brenda pak ditësh, Partia Socialiste u kthye në qendrën e vëmendjes për shkak të atyre që ndodhën brenda saj, ku eksponentë të vjetër si Elisa Spiropali dhe Erion Braçe dolën kundër vendimeve të kryetarit Edi Rama.

Pasi nuk votoi kundër arrestimit të Belinda Ballukut nga SPAK, Spiropali vijoi me sulmet ndaj modelit me të cilin drejtohet Partia Socialiste, teksa mund të themi se rrugët e saj me Edi Ramën janë ndarë përfundimisht, dhe shkaku për këtë është Belinda Balluku.

Por teksa përplasjet Spiropali –  Balluku nuk ishin diçka e re, vendimi i Erion Baçes për të dalë kundër kandidaturës së Ogerta Manastirliut dhe të shpallte kandidaturën e tij e tij për Bashkinë e Tianës, ishte si një rrufe në qiell të hapur për socialistët.

Erion Braçe e ka përforcuar kandidaturën e tij duke deklaruar në çdo dalje publike se do të dalë edhe si kandidat i pavarur nëse nuk merr besimin e Partisë Socialiste, por kjo duket se është “kleçka” ku nisin dyshimet se ambiciet e tij për të drejtuar kryeqytetin nuk janë edhe aq të mëdha.

Edi Rama nuk do ta lejonte kurrë që Braçe të kandidonte si i pavarur dhe votat e socialistëve të ndaheshin, duke rrezikuar fitoren në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2027, ndërkohë që vetë Braçe nuk do të ishte aq i pamend sa të dilte kundër kryeministrit, pasi historia ka treguar se kush del kundër tij, ka patur një të ardhme shumë të vështirë, si rasti i Arben Ahmetajt.

Ndaj, në këtë prizëm, lëvizja e Braçes merr një tjetër kuptim. Ai ka qenë prej kohësh një nga zërat më kritikë për çështjet e bujqësisë, dhe duke u pozicionuar si një nga figurat që e njeh nga afër terrenin.  

Kjo ngre dyshimin nëse kjo dalje publike e tij nuk është një interes për Tiranën, por ndoshta një mënyrë për të rikthyer në fokus një ambicie tjetër politike. Ndaj, “përplasja” me Ramën për Bashkinë e Tiranës nuk është domosdoshmërisht një konflikt i drejtpërdrejtë, por një mënyrë për t’i kërkuar kryeministrit një vend në qeveri.

Performanca e ministrit aktual të Bujqësisë, Andis Salla, duket që nuk është në nivelin e duhur, madje shpeshherë kur i drejtohen pyetje në Komisione Parlamentare apo në seanca plenare, përgjigjet e tij lënë shumë për të dëshiruar, aq sa herë-herë, Salla duket si ai elefanti në majë të pemës, që nuk e ka idenë se çfarë kërkon aty.

Ndaj,  kjo është një arsye më shumë që Braçe të këmbëngulë për të marrë atë ministri, duke mos e kërkuar drejtpërdrejt, por duke përfituar nga një situatë e zymtë brenda PS-së, ku uniteti nuk është i njëjtë me atë të pak kohëve më parë.

Në këtë kuptim, pyetja që po shtrohet në mënyrë gjithnjë e më të hapur nuk është nëse Erion Braçe do të hyjë realisht në garë për Bashkinë e Tiranës, por çfarë po negociohet në prapaskenë përmes kësaj lëvizjeje.