Frikë nga një marrëveshje e nxituar SHBA–Iran: diplomatët paralajmërojnë bllokim teknik dhe pasoja afatgjata

Aleatët evropianë shprehin shqetësim se një ekip negociator amerikan pa përvojë të mjaftueshme po shtyn për një marrëveshje të shpejtë me Iranin, e cila mund të përforcojë problemet ekzistuese në vend që t’i zgjidhë ato. Sipas diplomatëve me eksperiencë në dosjen iraniane, ekziston rreziku që një marrëveshje e shpejtë, me vlerë më shumë simbolike, të pasohet nga negociata të gjata dhe të ndërlikuara teknikisht.

“Shqetësimi nuk është se nuk do të ketë marrëveshje, por se mund të ketë një marrëveshje të keqe fillestare që krijon probleme të pafundme më pas,” tha një diplomat i lartë evropian për Reuters.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kritikat, duke theksuar se presidenti Donald Trump ka një histori të provuar në arritjen e marrëveshjeve të favorshme për Shtetet e Bashkuara.

Diplomatët nga Franca, Britania dhe Gjermania, që kanë negociuar me Iranin që prej vitit 2003, thonë se janë lënë në periferi të procesit. Këto vende luajtën rol kyç në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 (JCPOA), nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të Trump, duke e cilësuar atë “të njëanshme”.

Pas rreth 40 ditësh sulmesh ajrore, negociatorët amerikanë dhe iranianë rifilluan bisedimet këtë muaj në Islamabad, duke u fokusuar sërish në shkëmbimin klasik: kufizime bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Megjithatë, mosbesimi i thellë dhe dallimet në stilin e negociimit rrisin rrezikun për një marrëveshje të brishtë që mund të mos jetë e qëndrueshme politikisht.

Sipas diplomatëve, mund të arrihet një marrëveshje bazë, e ndarë në paketë bërthamore dhe ekonomike. Por pjesa bërthamore mbetet më problematikja.

Një nga çështjet kryesore është stoku i Iranit prej rreth 440 kilogramësh uranium të pasuruar në 60%, që mund të përdoret për armë bërthamore nëse pasurohet më tej.

Opsioni kryesor është ulja e nivelit të pasurimit brenda Iranit nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Alternativa të tjera përfshijnë dërgimin e materialit jashtë vendit, në vende si Turqia apo Franca, megjithëse kjo mbetet politikisht e ndjeshme.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo opsion kërkon negociata të gjata për verifikimin, transportin dhe sigurinë e materialeve.

Një tjetër pikë përplasjeje është e drejta e Iranit për të pasuruar uranium. Trump kërkon ndalimin total, ndërsa Irani këmbëngul në të drejtën për përdorim civil. Një kompromis i mundshëm mund të jetë një moratorium i përkohshëm me rifillim të kufizuar nën kushte të rrepta.

Në planin ekonomik, diskutimet fokusohen në heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e aseteve iraniane. Në afat të shkurtër, Teherani kërkon akses në fondet e ngrira jashtë vendit, ndërsa lehtësimi më i gjerë i sanksioneve do të kërkojë edhe mbështetjen e Evropës.

Diplomatët paralajmërojnë se qasja amerikane për të ndarë marrëveshjen fillestare nga detajet e mëvonshme mund të mos përputhet me kulturën politike iraniane.

Kërkesa kryesore e Iranit mbetet një garanci për mosagresion, pas sulmeve të mëparshme nga SHBA dhe Izraeli. Ndërkohë, vendet e Gjirit kërkojnë që të trajtohen edhe raketat balistike dhe aktivitetet rajonale të Iranit, ndërsa Izraeli kërkon kufizime maksimale.

Edhe pse pranojnë se kanë kontribuar vetë në margjinalizimin e tyre, diplomatët evropianë theksojnë se përvoja e tyre mbetet thelbësore.

“Ne kemi punuar mbi këtë çështje për dy dekada. Vetëm në negociatat e vitit 2015 ishin të përfshirë rreth 200 ekspertë,” tha një zyrtar evropian.

Nga ana tjetër, një zyrtar i administratës Trump deklaroi se në bisedimet në Islamabad janë përfshirë përfaqësues nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes, duke theksuar se SHBA mbetet e angazhuar plotësisht në proces.