Tragjedi në familjen shqiptare, babai dhe dy fëmijët e mitur humbin jetën në banesën e tyre

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë.

Burime për mediat në  Kosovë bëjnë me dije se viktimat janë babai dhe dy fëmijët e tij, të cilët vdiqën tragjikisht si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një banesë.

Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, i cili bëri të ditur se viktimat janë një burrë 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç.

“Kemi tre viktima: babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç”, deklaroi Graishta.

Sipas autoriteteve, rreth orës 12:55 është raportuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Policia njofton se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet e zjarrit.