Vijon tallja me qytetarët, Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e karburanteve

Ka zgjatur vetëm 1 ditë ulja e çmimit të karburanteve, pasi sot Bordi i Transparencës ka vendosur të rrisë sërish çmimet e naftës dhe benzinës.

Nga 210 lekë për litër çmimi i naftës do të jetë 217 lekë. Ndërsa çmimi me pakicë i benzinës është rritur 3 lekë, nga 173 lekë u vendos 176 lekë për litër.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 18:00 e ditës së sotme, ndërkohë që kjo është tallja e radhës nga ky Bord, që kur i rrit çmimet i lë për disa ditë, ndërsa kur i ul, i lë më pak se 24 orë.

Vendimi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 217 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 205 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 176 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.