Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të mos vendosë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa trafiku i bllokuar i tankerëve në Gjirin Persik ka detyruar Japoninë të shpallë një tjetër çlirim emergjent të rezervave të naftës.
Konflikti me Iranin ka dëmtuar prodhimin energjetik në rajonin e Gjirit, ka ngrirë eksportet dhe ka rritur çmimet e naftës me rreth 50%, duke shkaktuar një nga goditjet më të mëdha energjetike globale, me vendet aziatike ndër më të prekurat.
“Ka raportime se Irani po vendos tarifa për tankerët që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Nëse kjo është e vërtetë, duhet të ndalet menjëherë”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar se një veprim i tillë nuk është pjesë e marrëveshjeve ekzistuese.
Sipas mediave ndërkombëtare, Irani kishte planifikuar të kërkonte pagesa në kriptomonedha gjatë armëpushimit, sipas një përfaqësuesi të unionit të eksportuesve të produkteve energjetike.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se kishte diskutuar me Trump për rihapjen e ngushticës. Ai theksoi se një koalicion vendesh po punon për një plan politik dhe diplomatik, si dhe për aspektet ushtarake dhe logjistike për rikthimin e lundrimit normal.
Rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të lironte qindra anije të bllokuara dhe është një nga kushtet e armëpushimit dyjavor të shpallur më 7 prill.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë se vetëm një anije e madhe jo-iraniane ka kaluar ngushticën në 24 orët e fundit, krahasuar me rreth 140 që kalojnë zakonisht në kushte normale.
Nga ana tjetër, Irani ka vendosur një korridor të ri detar, duke u kërkuar anijeve të lundrojnë pranë ishullit Larak Island për të shmangur rrezikun e minave detare.
Në këtë situatë, Japonia njoftoi se do të çlirojë rezerva shtesë nafte për 20 ditë duke filluar nga maji. Kryeministrja Sanae Takaichi tha se vendi, i cili siguron rreth 95% të naftës nga Gjiri, po kërkon alternativa për furnizim duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, Arabia Saudite po përpiqet të ruajë eksportet përmes portit të Detit të Kuq në Yanbu, edhe pse sulmet iraniane kanë ulur kapacitetin e prodhimit me rreth 600 mijë fuçi në ditë.