Moska injoroi vazhdimisht thirrjet e Kievit për një armëpushim gjatë fundjavës së Pashkëve Ortodokse rreth 12 prillit, për të shpallur më pas atë që e quajti një armëpushim “të njëanshëm”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi të enjten një armëpushim për fundjavën e Pashkëve Ortodokse, pasi kishte refuzuar më herët propozime të ngjashme nga Ukraina.
“Në lidhje me festën e afërt të Pashkëve Ortodokse, shpallet një armëpushim nga ora 16:00 e datës 11 prill deri në fund të ditës së 12 prillit,” thuhet në një deklaratë të Kremlinit.
“Ne nisemi nga supozimi se pala ukrainase do të ndjekë shembullin e Federatës Ruse.”
Gjatë javëve të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje të vazhdueshme për një armëpushim gjatë kësaj periudhe festive. Ai ia propozoi këtë ide Rusisë dhe, përmes vendeve ndërmjetëse, u përpoq të bindte Moskën ta pranonte.
Më herët gjatë javës, Zelensky deklaroi se i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të përcillnin në Moskë një propozim për armëpushim gjatë festave, si një hap fillestar drejt paqes.
Megjithatë, të gjitha këto thirrje u injoruan nga Moska deri të enjten në mbrëmje, kur Kremlini shpalli armëpushimin e vet “të njëanshëm”.
Në reagimin e tij, Zelensky u shpreh:
“Ukraina ka deklaruar vazhdimisht se është e gatshme për hapa të njëjtë. Ne propozuam një armëpushim për festat e Pashkëve dhe do të veprojmë në përputhje me këtë.”
“Njerëzit kanë nevojë për një Pashkë pa kërcënime dhe për hapa realë drejt paqes. Rusia ka një mundësi të mos rikthehet te sulmet pas Pashkëve.”
A mund të zgjatet armëpushimi?
Procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë ka ngecur që nga fillimi i luftës në Iran, e cila sipas Kievit vetëm sa “rrit besimin e Rusisë”.
Sipas raportimeve mediatike, i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, udhëtoi drejt SHBA-së për t’u takuar me zyrtarë të administratës Trump. Bisedimet thuhet se fokusohen në mundësinë e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë ekonomik mes SHBA-së dhe Rusisë.
Koha e kësaj vizite nuk është rastësore. Afati i SHBA-së për të vendosur nëse do të zgjasë lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse skadon të shtunën.
Kur SHBA vendosi sanksione në tetor 2025, Moska pranoi të rikthehej në bisedimet për paqe. Në fillim të marsit, Uashingtoni i zbuti kufizimet dhe lejoi shitjen e naftës ruse që ishte tashmë në treg deri më 11 prill.
SHBA synonte të minimizonte pasojat ekonomike të luftës në Iran, por çmimet e naftës vazhduan të rriten, duke i sjellë Rusisë miliarda fitime shtesë.
Pas armëpushimit në Iran, Zelensky bëri thirrje për rikthimin e sanksioneve ndaj naftës ruse.
“Nëse sanksionet ndaj naftës ruse u hoqën për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, a do të rikthehen tani që ka armëpushim? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të tregojë arsyen e vërtetë pse u hoqën ato,” tha ai.
“Sipas mendimit tim, Rusia i ka manipuluar sërish amerikanët – madje edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.”
Ai shtoi se Rusia ka gënjyer për rolin e furnizimeve të saj me naftë në stabilizimin e tregut global.
“Nëse SHBA rikthen sanksionet, kjo do të ishte e drejtë. Por nëse jo…”, u shpreh ai.
Zelensky kërkoi rritje të presionit ndaj Rusisë për të rifilluar bisedimet e paqes dhe për të rënë dakord për një takim trepalësh mes liderëve, për të cilin Kievi ka bërë thirrje prej muajsh.
“Nëse Rusia zgjedh rrugën e de-eskalimit, besoj se një takim i tillë do të zhvillohet.”
Ai theksoi se prilli, maji dhe qershori janë “muaj kyç”, duke shtuar se SHBA nuk do t’i japë më shumë kohë këtij procesi.
“Me fillimin e verës, Shtetet e Bashkuara do të përqendrohen edhe më shumë në çështjet e brendshme, sidomos në zgjedhje. Besoj se ekziston një afat politik i brendshëm – rreth muajit gusht.”
Zelensky pranoi se periudha deri atëherë do të jetë “mjaft e vështirë politikisht dhe diplomatikisht”.
“Mund të ketë presion ndaj Ukrainës,” tha ai, duke shtuar se Kievi shpreson që presioni të ushtrohet edhe ndaj Rusisë.