GJKKO rrëzon kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt për heqjen e sekuestros për pasuritë

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt për heqjen e sekuestros për pasuritë.

Gjyqtari Erion Bani ka lënë në fuqi sekuestron e 34 pasurive të Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, ndërsa ende nuk duhet asgjë për “mbretin” e lojërave të fatit.

Dy vite më parë, SPAK ka sekuestruar të gjithë pasurinë që dyshohet se posedoheshin prej tij apo familjarëve të vet. Pasuritë e sekuestruara dyshohet se janë vënë përmes veprimtarisë kriminale të Martinajt.

Kujtojmë se ish-oficeri i Operacionales Jeton Lami, ishte njeriu i fundit që ka shoqëruar Ervis Martinaj, midis datave 5 dhe 6 gusht të vitit 2022. Prej 4 vitesh nuk ka ende asnjë informacion për të.

Ndërkohë në tetor të vitit 2025, babai i Martinajt, Mustafa Martinaj ju drejtua me një kërkesë Gjykatës së Lezhës që djali i tij të shpallej i zhdukur.

Emri i Ervis Martinajt, është përmendur në hetime për përfshirje në krime të rënda, përfshirë akuzat nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani për porositjen e një vrasjeje që kapte vlera prej qindra mijëra eurosh.

Në një nga rrëfimet e tij, Dumani tregonte se Ervis Martinaj e kishte paguar atë 100 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen, ndërsa i kishte premtuar se do t’i jepte dhe 400 mijë euro të tjera pasi të kryente punën.

Por atentati ndaj Dokles nuk u realizua, pasi siç thotë vetë Dumani, ai ishte mjaft i mbrojtur dhe lëvizte gjithmonë me makinë të blinduar.

Pas këtij rrëfimi të Dumanit, Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga ana e policisë, por që të gjitha aksionet për arrestimin e tij dështuan.