Sot dita e parë e shkollës, Tirana e mbushur me nxënës dhe makina

Nxënësit e arsimit parauniversitar, nga klasa e parë deri te e dymbëdhjeta, fillojnë sot sezonin e ri shkollor.

Policia e Shtetit po zbaton masat e “paketës së sigurisë në shkolla”, ku efektivët e policisë qëndrojnë para dyerve të shkollave për të ruajtur perimetrin e sigurisë. Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës.

Një urim për nxënësit ka ardhur edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kryeministri Edi Rama.

“Mirëmëngjes dhe shumë suksese nxënësve dhe mësuesve në këtë vit të ri shkollor. Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka për të garantuar siguri e qetësi pranë mjediseve shkollore”, shkruan Balla.

“Sot, kur dyert e shkollës janë çelur dhe një rrugëtim i ri i dijes sapo ka nisur me himnin kombëtar, u dërgoj një urim të përzemërt për sa më shumë sukses e mbarësi të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve e prindërve të gjithë Shqipërisë”, shkruan në rrjetet sociale kryeministri Rama.

Por fillimi i shkollës ka sjellë edhe trafik të rënduar në kryeqytet. Rrugët e Tiranës mëngjesin e sotëm kanë qenë të mbingarkuara, pavarësisht se policët rrugorë kanë qenë në krye të detyrës.

Trafiku i rënduar ka ndikuar te shumë banorë të kryeqytetit, pasi e kanë patur të vështirë të arrijnë në punë në kohën e duhur.