Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me furnizuesit e naftës, pas rritjes së çmimit të karburanteve pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme.
Kreu i qeverisë u tha furnizuesve të naftës në vend se për momentin nuk është parë e arsyeshme të ngrihet një bord për caktimin e çmimit të këtij produkti.
Rama foli në këtë takim mbi një nismë të re, për t’u futur një faktor qeveritar si distributor garant dhe shumice.
“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi sfida është e hapur, nuk di të thitë askush se kur do të mbyllet ajo betejë, që mban faktikisht lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës. Nuk di të thotë askush se si do të shkojë çmimi në bursë, nëse do ketë rritje, stabilizim, por është e sigurt që ne mund të bëjmë atë që neve na takon. Duke nisur nga rezerva, konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, në kontrata figuron e garantuar për rreth 100 ditë, megjithatë mbetet për tu monitoruar ditë pas dite situata.
Nga ana tjetër në kemi në konsultim ligjin për rezervën shtetërore. Ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg, si distributor shumice, një faktor shtetëror, besoj do ta bëjmë më të lehtë për ju të gjithë punën, pasi do garantojë sasinë e nevojshme duke pasur mbështetjen shtetërore, dhe do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon përmes broker, ne do të synojmë të kemi marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë.
Nuk e kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapin dhe të kalojmë në Bord pasi në fund të ditës nëse dialogu funksionon siç ka funksionuar deri tani, qëllimin nuk kemi t’ju shtrëngojmë në punën tuaj, por që bashkërisht të merrni vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra në supet e konsumatorit. Natyrisht kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe sesa Bordin në kurriz”, tha Rama.