Shkelje me tenderin 700 mijë euro, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Benet Becit

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci,  i akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Bashkë më të për gjykim janë dërguar edhe Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni.

Akuzat ndaj Becit lidhen me kohën kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Sipas SPAK, Beci ka shkelur ligjin në tenderin me vlerë 700 mijë euro për  “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.

Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.