PD përcakton kalendarin: Zgjedhjet në degë deri më 30 prill, kryetari zgjidhet më 23 maj. Ndryshime edhe në Statut

Partia Demokratike ka zhvilluar sot mbledhjen e Kryesisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme lidhur me organizimin e brendshëm dhe proceset zgjedhore në strukturat e partisë.

Gjatë mbledhjes është vendosur që zgjedhjet në degët e PD-së në të gjithë vendin të përfundojnë deri më 30 prill. Në 23 maj do të zhvillohet zgjedhja e kryetarit, ndërsa më 6 qershor do të mblidhet Kuvendi Kombëtar.

Gjatë mbledhjes është vendosur edhe krijimi i një grupi pune për rishikimin e Statutit të partisë. Ky grup do të drejtohet nga Gazment Bardhi dhe do të ketë në përbërje anëtarët: Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Elda Hoti, Keltis Kruja, Adriana Kalaja, Marash Logu dhe Franc Nuri.

Grupi i punës pritet të përgatisë propozimet për ndryshimet dhe përditësimin e Statutit të partisë, të cilat më pas do të diskutohen dhe miratohen në forumet më të larta të PD-së.

Kuvendi Kombëtar i parashikuar për t’u mbajtur më 6 qershor pritet të jetë forumi ku do të diskutohen jo vetëm ndryshimet në Statutin e partisë, por edhe zhvillimet politike dhe organizative të PD-së.