Berisha nga Elbasani: Dita e fundit e Verës që i gjen Ramën dhe Ballukun në karrige

Kryedemokrati Sali Berisha ka vizituar qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës, ku ka uruar qytetarët shqiptarë.

Ai nuk la pa përmendur edhe dyshen Rama – Balluku, për të cilët tha se s’kanë më të ardhme dhe kjo është dita e fundit e verës që i gjen me karrige të thyer, ashtu siç janë tani.

Për kreun e PD-së, në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta të kryeministrit Rama dhe Belinda Ballukut.

“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi.

Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më.

Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë.

Nuk e meritojnë!

Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.

Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku.

Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane”, tha Berisha.