Sherr për tarracën e pallatit në Sarandë, 62-vjeçari futet në banesën e fqinjëve dhe i kërcënon me armë

Një ngjarje kriminale është parandaluar në Sarandë, ku një 62-vjeçar ka kërcënuar me armë zjarri fqinjët e tij.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 të qytetit bregdetar, ku një 62-vjeçar me inicialet Sh. K., pas një konflikti të çastit, ka hyrë i armatosur në shtëpinë e fqinjëve të tij.

Ishte telefonata e një gruaje ajo që vuri në lëvizje efektivët e Komisariatit të Sarandës, të cilët mbërritën me shpejtësi në vendngjarje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë u arrestua shtetasi Sh. K., 62 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.