Organizatat SCiDEV dhe BIRN Albania publikuan sot raportin vjetor “Ndjekja e progresit të Shqipërisë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në përputhje me standardet e BE-së”, një analizë e bazuar në evidencë mbi zhvillimet kryesore që kanë ndikuar mjedisin mediatik në vend gjatë vitit 2025.
Raporti vlerëson progresin institucional dhe ligjor të Shqipërisë në kontekstin e procesit të integrimit europian, duke analizuar zhvillimet në rregullimin e mediave, sigurinë e gazetarëve, pluralizmin e medias, mbulimin e zgjedhjeve dhe kushtet e punës në sektor.
Gjetjet tregojnë një realitet të dyfishtë: ndërsa gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë disa hapa institucionalë dhe procedurale për forcimin e kornizës ligjore dhe mekanizmave të mbrojtjes për gazetarët, dobësitë strukturore që lidhen me presionin politik, përqendrimin e pronësisë së mediave dhe kushtet e pasigurta të punës vazhdojnë të ndikojnë negativisht në mjedisin e medias.
Sipas të dhënave të raportit:
40.6% e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar kërcënime ose kanosje në lidhje me punën e tyre gjatë vitit 2025. 68% e gazetarëve deklarojnë se janë ndjerë të kufizuar në raportim për shkak të frikës nga censura ose hakmarrja.
Gjatë vitit janë Rrjeti SafeJournalists ka dokumentuar 42 raste shkeljesh ndaj gazetarëve, përfshirë kërcënime, ngacmime online dhe forma të tjera presioni. Raporti gjithashtu analizon periudhën e zgjedhjeve parlamentare të majit 2025, e cila rezultoi një test i rëndësishëm për lirinë e medias.
Rreth 70% e gazetarëve që mbuluan fushatën raportuan vështirësi në aksesin në informacion, ndërsa një pjesë e konsiderueshme u përballën me presione ose kufizime në raportimin e tyre.
Raporti përfundon me një sërë rekomandimesh për institucionet shqiptare dhe aktorët e sektorit të medias, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët, rritjen e transparencës së pronësisë së mediave, përmirësimin e kushteve të punës dhe garantimin e pluralizmit të medias në përputhje me standardet europiane.