PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, ambasada gjermane: Ndjekja penale e korrupsionit në rangun e lartë, kusht për integrimin

Ambasada gjermane në Tiranë ka reaguar pasi mazhoranca votoi kundër kërkesës së SPAK për të hequr imunitetin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Ambasada nënvizon se kusht i domosdoshëm për procesin e integrimit në Bashkimit Europian është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.

Sipas ambasadës gjermane, ndjekja penale përmes drejtësisë të realizohet shpejt dhe pa pengesa.

Reagimi i ambasadës gjermane:

Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron: 
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. 
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces. 

Kujtojmë se në seancën e kësaj të enjteje, 82 deputetë, mes tyre tre të PSD-së votuan kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut ndërsa 47 votuan pro.

Në Partia Socialiste munguan në sallë Balluku, Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhe. Paralelisht me seancën, jahstë Kuvendit u zhvillua edhe një protestë, e thirrur nga opozita. Me përfundimin e seancës plenara, u mbyll edhe protesta ndërsa kreu i PD, Sali Berisha njoftoi se tubimi i radhës do të jetë më datë 22 Mars.