“Reformën në Drjetësi e bëri Partia Socialiste!” Ky ishte refreni që kryeministri Edi Rama përsëriste sa herë fliste për drejtësinë e re apo sa herë e sulmonte atë për të dalë në krah të zyrtarëve të tij që kishin shkelur ligjin e kishin grabitur paratë e qytetarëve shqiptarë.
Por sot, ai që mburrej se kishte bërë Reformën në Drejtësi dhe ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të saj, e “vrau” atë.
E vrau për t’u bërë mburojë për një tjetër ministre të kapur në afera korruptive, por këtë herë gjërat duken më të rënda se sa i kishte menduar. Belinda Balluku i doli më e fortë se sa Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj apo Erion Veliaj, të cilët i kishte lëshuar shumë thjesht në duart e drejtësisë.
Sot në Kuvend u votua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e pandehur në SPAK dhe e akuzuar për abuzime me tenderat në vlerë 1.1 miliardë euro.
Por mazhoranca, ndryshe nga herët e tjera, vendosi të mos e japë autorizimin, pasi deputetët socialistë votuan me 82 vota kundër, teksa 47 votat pro të opozitës ishin të pamjaftueshme.
Ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe për Unazën e Madhe në Tiranë.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e saj nga detyra, ndërsa qeveria bëri ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi fillimisht kthimin në detyrë të Ballukut, por çështja në themel u shqyrtua më datë 22 janar 2026.
Gjykata Kushtetuese u mblodh tre herë për të marrë vendimin, kjo edhe për shkak të çështjes sensitive. Në mbledhjen e fundit, datë 6 shkurt, Kushtetuesja vendosi pezullimin e Belinda Ballukut, duke rrëzuar padinë e qeverisë, në lidhje me ankimimin që i bëri vendimit të GJKKO.
Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Ulsi Manja, si anëtar i Këshillit të Mandateve, prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministres. Ai hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë së Posaçme për të rënduar masën e sigurisë për Ballukun.
Teksa u vendos në rolin e një gjyqtari, ku komentonte dhe rrëzonte një nga një akuzat dhe pretendimet e SPAK, Ulsi Manja ngriti pretendime edhe se procesi ishte i motivuar politikisht, kur vetë avokatët e Ballukut nuk e kishin një pretendim të tillë.
Ai tha se kallëzimet ishin bërë nga Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, ndërkohë që më pas hodhi poshtë pretendimin se Balluku mund të arratisej, duke deklaruar se ish-ministrja kishte udhëtuar disa herë jashtë vendit pas ngritjes së akuzave ndaj saj, dhe ishte kthyer përsëri.
“Kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur masat nuk janë respektuar/. Rasti i dytë përjashtohet në këtë rast pasi Balluku e ka respektuar. Nget vetëm rëndimi i masave të sigurimit për shtimin e episodeve të veprës penale, rrezikun e ikjes, kryerjen e një vepre më të rëndë penale apo prishjen e provave. Raporti i referohet këtyre kërkesave. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë Gjykatën. Nuk gjykojmë fajësinë apo provat, por vlerësojmë respektimin e procedurave, nëse kërkesa është bërë me natyrë politike.
Fakti nëse kërkesa është bërë me natyrë politike, Balluku nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht, por Këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD. Kallëzimi i dytë është bërë nga Gazment Bardhi. Në 2025, procedimet janë bashkuar në një të vetme që mban një numër unik procedimi në bazë të të cilës po zhvillohen hetimet”, tha Manja.