Banorët e Rrjollit e kanë zhvendosur protestën e tyre para SPAK-ut, teksa kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz nga biznesmeni Bashkim Ulaj, në tokat e tyre.
Banorët kërkojnë që të zhvillojnë një takim me prokurorët e SPAK për të shprehur shqetësimin e tyre.
“Protestat nuk do të ndalen, qytetarët do të jenë aty”, tha një prej banorëve.
Këta banorë po protestojnë prej më shumë se një muaj në vendin ku do të ndërtohet resorti, ndërsa më herët, ata kanë pasur përplasje të ashpra me policinë, dhe me rojet private të “Breçani Security” të punësuar nga Ulaj më qëllim për të ruajtur kantierin.
Disa prej tyre janë shoqëruar në polici, mes tyre edhe gra shtatzënë.
Ndërkohë avokati i banorëve të Rrjollit në një deklaratë për gazetarët tha se ende nuk kanë asnjë informacion nga SPAK në lidhje me kallëzimet që ata kanë bërë.
“Situata është e agravuar, kallëzimi lidhet me Fatmir Shpellzën është bërë para 1 muaj edhe nuk ka reagim. Është e patolerueshme. Dosja është më shumë se 2 fashikuj. Problematika nuk vjen kot, por si pasojë e mosreagimit të institucioneve. Përsëri na përcollën se do të gjejmë kohë. Është detyrim i këtij organi që t’i dëgjojë këta banorë. Është e drejta e pronës së tyre që e kanë të trashëguar. SPAK minimalisht duhet të japë shpjegime përse e referojnë çështjen. Me emra konkretë i ka prokuroria. Vetë fakti sesi është marrë kjo pronë, jemi në kuadër të dyshimit ka persona konkretë të pushtetit vendor të përfshirë. Biznesmeni është i njohur me problematikën e zonës. Nuk mund të trajtohet një investim i atillë pa asnjë problematikë. Banorëve nuk po u lejohet të ta trajtojnë pronën si të tyren. Kërkojmë një informacion çfarë po ndodh me këtë kallëzim që kemi bërë”, tha avokati.