Partia Socialiste me në krye Edi Ramën ka vendosur ta mbrojë deri në fund të pandehurën Belinda Balluku, në akuzë nga SPAK për abuzime me tenderat në vlerë rreth 1.1 miliardë euro.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Ulsi Manja, si anëtar i Këshillit të Mandateve, prezantoi raportin mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministres. Ai hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë së Posaçme për të rënduar masën e sigurisë për Ballukun.
Teksa u vendos në rolin e një gjyqtari, ku komentonte dhe rrëzonte një nga një akuzat dhe pretendimet e SPAK, Ulsi Manja ngriti pretendime edhe se procesi ishte i motivuar politikisht, kur vetë avokatët e Ballukut nuk e kishin një pretendim të tillë.
Ai tha se kallëzimet ishin bërë nga Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi, ndërkohë që më pas hodhi poshtë pretendimin se Balluku mund të arratisej, duke deklaruar se ish-ministrja kishte udhëtuar disa herë jashtë vendit pas ngritjes së akuzave ndaj saj, dhe ishte kthyer përsëri.
“Kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur masat nuk janë respektuar/. Rasti i dytë përjashtohet në këtë rast pasi Balluku e ka respektuar. Nget vetëm rëndimi i masave të sigurimit për shtimin e episodeve të veprës penale, rrezikun e ikjes, kryerjen e një vepre më të rëndë penale apo prishjen e provave. Raporti i referohet këtyre kërkesave. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë Gjykatën. Nuk gjykojmë fajësinë apo provat, por vlerësojmë respektimin e procedurave, nëse kërkesa është bërë me natyrë politike.
Fakti nëse kërkesa është bërë me natyrë politike, Balluku nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht, por Këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD. Kallëzimi i dytë është bërë nga Gazment Bardhi. Në 2025, procedimet janë bashkuar në një të vetme që mban një numër unik procedimi në bazë të të cilës po zhvillohen hetimet”, tha Manja.
Në fund, Manja u kërkoi deputetëve të mazhorancës që në seancën plenare të 12 Marsit në Kuvend, të votojnë kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke u bërë mburojë për një ish-ministre të pandehur dhe duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj.
“Ne si mazhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha ai.