Tensionet në seancë pas deklaratës së Ballës, PS kërkon përjashtimin e Bardhit dhe Balliut nga Kuvendi

Partia Socialiste kërkon përjashtimin e dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu pas tensioneve që u krijuan në sallë, fill pas komenti të Taulant Ballës ndaj deputetes Albana Vokshi.

Në kërkesën zyrtare, socialistët thonë se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme.

PS ka kërkuar:

-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;

Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Partia Demokratike kërkoi përjashtimin për 60 ditë të deputetit socialist Taulant Balla, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës së papranueshme ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë së njëjtës seancë parlamentare.

Partia Demokratike tha se Balla përdori gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, së cilës iu drejtua me frazën “për ty kemi numrin 0900”.

“Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pа pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi”, tha Balla në Kuvend.