Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskempetencë në lidhje me zhdukjen e shisheve të verës, me vlerë 1.3 milionë euro të Ergys Agasit, i cili është shpallur në kërkim për skandalin me tenderët e AKSHI-t.
Shishet e verës, u sekuestruan nga SPAK në kuadër të kontrolleve që u kryen në pronat e Ergys Agasit, pasi ai u shpall në kërkim së bashku me biznesmenin tjetër, Ermal Beqiri, të cilët duke vepruar si grup kriminal, rrëmbenin biznesmenët të tërhiqeshin nga tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në kërkim për zhdukjen e shisheve të verës është shpallur Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, i cili ka larguar sasinë e verës nga kantina dhe më pas ka hequr edhe serverin e kamerave të sigurisë.
Këto shishe vere, mes të cilave dhe një koleksion shumëvjeçar “Petrvs Pomedol”, ku një shishe kushton më shumë se 32 mijë dollarë, u sekuestruan me urdhër të SPAK, dhe pas dyshimeve se vera ishte kontrabandë, u njoftua Drejtoria e Doganave.
Kujtojmë se në lidhje me skandalin e tenderëve të AKSHI-t, në arrest shtëpie janë, ish-drejtoresha, Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv.drejtoresha, Hava Delibashi, ndërsa për zv.drejtorin e Policisë së Tiranë, Erion Ismailaj u caktua “detyrim paraqitje”.