Banorët nga fshatrat e Njësisë Administrative Thumanë kanë protestuar sërish sot për shkak të degradimit të rrugës së Gramzës. Kjo e fundit përdoret nga automjetet që devijojnë nga aksesi kryesor i autostradës.
Ata bllokuan për rreth një orë qarkullimin pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar, si e vetmja mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.
Sipas protestuesve, një pjesë rreth 500 metra e kësaj rruge është në gjendje tejet të amortizuar dhe është kthyer në problem serioz për drejtuesit e automjeteve.
“Këto makinat e mëdha na e kanë dëmtuar, 500 metra rrugës është. Vij prej pune nga Thumana deri në Gramës, dua tre orë të shkoj të shtëpia. 500 metra rrugë është, të na e shtrojnë me asfalt. Të mos kalojnë makinat e tonazhit të rëndë, ose të bëjnë rrethrrotullimin. Erdhën hodhën çakëll për t’i mbyllur sytë njerëzve”, tha njëri prej protestuesve.
“Nuk është hera e parë që po bëhet protesta, nuk po kërkojmë diçka të veçantë, 500 metra rrugë ta shtrojnë se nuk i kushton asnjë. Ky ka qenë asfalt i rregullt, e kanë prishur. Një rrugë 500 metra duam, një ditë punë e kanë. Na premtuan dalje në autostradë, kjo është skandal. Kalojnë makinat e tonazhit të rëndë”, tha një tjetër.
Banorët apeluan për investime të menjëhershme në rrugët e dëmtuara të Krujës, një nga zonat më pak të investuara, ku mungesa e infrastrukturës po rëndon jetën e përditshme të komuniteteve rurale.