BIRN: Shkarkimi i Belinda Ballukut, ‘i vonuar dhe i pamjaftueshëm’

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një mbledhje të grupit parlamentar socialist për të shkarkuar nga postet qeveritare Belinda Ballukun, katër muaj pasi Prokuroria e Posaçme e mori atë të pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Balluku, e cila njihet si një prej bashkëpunëtorëve të ngushta dhe të hershme të Ramës, mbante prej 2019 postin e Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe nga 2022 edhe atë të zv.kryeministres.

Pa argumentuar nevojën për ndryshime të tjera në qeveri, Rama shkarkoi gjithashtu Elisa Spiropalin nga posti i ministres së Jashtme dhe Pirro Vëngun nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm pak muaj pas emërimit të tyre.

Detyrat e Ballukut në kabinet do ndahen mes Albana Koçiut në postin e zv.kryeministes dhe Enea Karakaçit- një ish vartës i saj, i cili ngjitet në krye të Ministrisë së Infrastrukturës.

Akuzat ndaj Ballukut të ngritura në muajin tetor e vendosën kryeministrin Rama në pozitat e mbrojtësit politik, duke ndryshuar kursin e deridjeshëm të tij në raport me drejtësinë.

Përpara se të firmoste shkarkimin të enjten, Rama tha se e kishte refuzuar tre herë dorëheqjen e Ballukut, ndërkohë që e la të paqartë vendimarrjen politike për heqjen e imunitetit të saj në Kuvend.

Për vëzhguesit e politikës, shkarkimi i zv.kryeministres Balluku është një akt i vonuar dhe që ka për synim shmangien e presionit ndërkombëtar, pa ndryshuar realisht qasjen antagoniste të qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë. Në anën tjetër, ata theksojnë se ndryshimet treguan se Balluku vazhdon që të ruajë pushtet në Partinë Socialiste.

“Shkarkimi i zv/kryeministres është një lajm i mirë, por i vonuar dhe i pamjaftueshëm,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

“Kuvendi duhet të miratojë kërkesën e SPAK për hetime të plota dhe kryeministri duhej ta kishte shkarkuar që në dhjetor, për më tepër kur ai ka deklaruar se ka refuzuar tri dorëheqje…,” shtoi më tej ai.

Edhe për Ilir Kalemajn, pedagog i Shkencave Politike, vendimi për shkarkimin e Ballukut ishte “i vonuar dhe i pamjaftueshëm” për mesazhin që iu dha institucioneve të drejtësisë, duke injoruar kontrollin dhe balancën mes institucioneve.

Emrat e tjerë që u futën apo ikën nga kabineti i Ramës konsiderohen nga ekspertët ose si ndikim i drejpërdrejtë i pushtetit politik që vijon të ketë Balluku në PS, ose si ‘makiazh politik’ për të minimizuar koston e largimit të numrit dy të qeverisë, ku Rama është investuar.

Krasniqi parashikon një të ardhme politike afatshkurtër për Ballukun, por thekson se ajo vazhdon të ketë ndikim në PS edhe pas shkarkimit, përsa kohë që vijon të ketë “mbështetjen zyrtare, politike dhe personale të kryeministrit”.

Krasniqi i konsideron ndryshimet e djeshme si të detyruara, ndërsa emërimet e reja të parëndësishme, për aq kohë sa sistemi ekzekutiv është piramidal dhe siç kanë treguar hetimet e deritanishme, aktet më të rëndësishme, përfshirë ato lidhur me tendera, imponohen nga lart.

“…jeta politike dhe publike në Shqipëri, në vend që të fokusohet te reformat e munguara dhe procesi i integrimit, humbet më shumë se tre muaj energji në debatin parademokratik nëse një zyrtare e lartë duhet të hetohet,” theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, Kalemaj e konsideroi paradën e mbledhjes së grupit parlamentar të së enjtes një paradoks politik shqiptar, ku ndryshimet në qeveri nuk u shoqëruan nga asnjë bilanc apo vlerësim politik apo teknik.

“Ndryshimet e bëra nga Rama kishin dy qëllime; për të mbuluar me hi lëvizjen e Ballukut, por duke i shpërblyer investimet e saj në qeveri me poste, ndërkohë që shkarkohet edhe Spiropali si ‘qokë’ për të,” tha Kalemaj.

Për pedagogun e Shkencave Politike, Ermal Hasimja, shkarkimi i Ballukut dhe ndryshimet në qeveri janë një tentativë e Ramës për të rregulluar atë që duket se është prishur në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Duket sikur është një operacion makiazhi i Ramës që synon të ruajë raportet e pushtetit brenda shumicës dhe nga ana tjetër, t’u japë ndërkombëtarëve iluzionin se gjërat po i ndryshon dhe ka reflektuar pas kritikave të tyre,” vlerësoi Hasimja.